Çdo gjë prej Tij është!

"Nëse ti mendon se je diçka, atëherë dije se nuk je asgjë, madje je hiçmosgjë! E në atë çast që fillon të mendosh se je hiçmosgjë, ke filluar të jesh me të vërtetë diçka!" Një mësim i paharrueshëm kjo melodi e zemrës, për të kuptuar thjeshtësinë, dhe vërtetësinë e ekzistencës së njeriut.

Lexoni përmbajtjen...
Faqja kryesore arrow Nga Media arrow Analizat arrow Gyleni, Një Thirrje Për Dialog Kulturor

Kjo faqe nuk do të përditësohet pa datës 26 Mars 2013. Gjendjen aktuale të faqes mund ta ndiqni nëpërmjet adresës http://fgulen.com/al

Gyleni, Një Thirrje Për Dialog Kulturor Printoni E-mail
Vlerësimi nga përdoruesit: / 9
I dobëtMë i miri 
Shkruar nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, Sociolog   
Thursday. 28 January 2010

Gyleni, Një Thirrje Për Dialog KulturorNë opusin e krijimtarisë teorike e shkencore, filozofike e teologjike, eseistike e politike të Fethullah Gylenit artikulohet dendur fjala oqean.

Mendoj se e gjithë krijimtaria e tij shpirtërore që komunikon harmonishëm me të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen e të gjitha kulturave, shkencave, arteve, dhe feve është jo një oqean, por një megaoqean eterik dijesh dhe mirësie, kuptimesh shkencore përgjithësuese dhe botëbesimesh polivalente, që reflektojnë në një version sintetik origjinal bashkëkohës gjithë oqeanet e trashigimisë shpirtërore të njerëzimit. Të të besojnë detyrën e përgatitjes së një kumtese me pak faqe për një megaoqean të tillë ( siç ma besoi mua këtë detyrë Shtëpia Botuese ‘Prizmi’, për çka unë e falenderoj përzemërsisht ), nuk mund t’i shmangësh përjetimit të një spektri të ndezur emocionesh, ku nivelohen më qartë dy, të cilat i kundërqëndrojnë më fort njëra-tjetrës: mrekullimi përpara këtij megaoqeani pafund idesh, argumentimesh, vizionesh dhe emocionesh kristal-fismërie dhe, në anën tjetër, frustimi që buron prej faktit se nga ky megaoqean je i ngushtuar të paraqitesh përpara këtij auditori të nderuar, si të thuash, vetëm me një grusht nga ky jetik kulturor, mirëbesimi dhe paqëtimi. Ja pra, edhe shpirtmirësia e paanë dhe mendimi univesal i Fethullah Gylenit, këtij kryekapedani të madh të altruizmit, të paqëtimit dhe të tejkalimit të kontradiktave na vë, dashur pa dashur, në morsin e këtyre kontradiktave emocionale. Veçse kontradikta të tilla janë fare të përkohshme, frustrimi zhduket shpejt dhe mbetet ana tjetër e kësaj kontradikte, mrekullimi, madje me doza përforcimi në rritje.

Në artikujt, kumtesat e referatet e panumërta që i kushtohen krijimtarisë polivalente të Fethullah Gylenit, ai është karakterizuar si ‘mësuesi shpirtëror i miliona myslimanëve në botë’, si ‘përfaqësuesi i myslimanëve’, si ‘përfaqësuesi më i suksesshëm i Islamit’ etj. (Pirraku, M, 2007 :35, 36, 37).

Unë mendoj se karakterizime të tilla janë të njëanshme. Kontributi teorik dhe praktik i Fethullah Gylenit e kapërcen njëanësinë. Në të gjithë krijimtarinë e shumanshme ai e përjeton proçesin e empatisë në shumëdimensionalitetin e vet. Për këtë vetë Gylen, ndër të tjera, ka shkruar : ‘Vëllazëria e nivelit të sakrifikimit për njëri-tjetrin, është njëri nga faktorët me ndikim më të madh në botën e jashtme. Krenimi me virtytet dhe meritat e tjetrit dhe pranimi i tyre sikur të ndodhnin te vetja, do t’i lidhte fort me njëri-tjetrin individët e bashkësisë dhe, duke nxitur shpirtin e vrullit brenda vetes tyre, duke u fryrë zotësisë dhe aftësive në gjendje shkëndijash, do t’i shndërronte ato në thëngjij të ndezur dhe do të bëhej shkak për zbritjen rrëke të mëshirës hyjnore’( 1998, 221). Duke mbajtur gjithnjë ndezur shkëndijat, dritën e një empatie të tillë në kuptimin më të gjerë të fjalës, pra, duke e pozicionuar veten edhe në statusin kulturor dhe fetar, të përkatësive etnike dhe kombëtare të tjetrit ose të të tjerëve, Fethullah Gyleni afron një paradigmë të veten për zgjidhjen e çështjeve themelore sociale, kulturore e fetare të njerëzimit në proçesin kompleks të globalizmit. Dhe zgjidhje të tilla janë të pranueshme nga popujt dhe intelektualët në shkallën më masive të mundshme.

Kjo paradigmë dhe përbërëset e saj janë sintezë e përpjekjeve të tij të shumanshme për të qëmtuar dhe përgjithësuar vlerat kulturore, fetare e njerëzore më të rëndësishme të krijuara dhe të avancuara nga të gjithë popujt, numerikisht të mëdhej dhe të vegjël në rrjedhën mijëvjeçare të mbushur me përpjekje dhe luftëra të gjithanshme për mbijetesë, për mirëqënie materiale e shpitërore dhe për lartësimin e dinjitetit njerëzor.

Veçanërisht gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, ndër gazetarët, veprimtarë shoqërorë, madje edhe ndër studiuesit profesionistë të çështjeve sociale janë shtuar zërat që përpiqen të arsyetojnë tezën se aktualisht, dhe sidomos në të ardhmen, konfliktet ndërmjet kulturave, ndërmjet qytetërimeve do të përcaktojnë disa profile kryesore përcaktuese të zhvillimit të njerëzimit. Një nga artikuluesit dhe zhvilluesit kryesorë të një teze të tillë, sociologu amerikan bashkëkohës Samuel Huntington, ndër të tjera, ka shkruar : ‘...disa marrëdhënie ndërqytetërimore janë më të pritura për konflikte sesa disa të tjera... Në makronivel ndarja mbisunduese është ndërmjet ‘Perëndimit dhe të tjerëve’, ndërsa konfliktet më të forta ndodhin ndërmjet shoqërive myslimane e aziatike, nga njëra anë, dhe Perëndimit, nga ana tjetër. Përpjasjet e rrezikshme në të ardhmen ka gjasa që të shkaktohen nga ndërveprimi i arrogancës Perëndimore, intolerancës islamike dhe vetësigurisë aziatike’. (Huntington, S, 2004 :291). Kësisoj Huntington, e sheh të sotmen dhe e parasheh të ardhmen me lentet e turbulluara nga tymi i barutit ose i rrezeve radioaktive të luftërave ndërkulturore dhe ndërqytetërimore. Ndryshe nga ky teoricien që i keqtrajton qytetërimet e popujt si reparte luftarake përballë njëri-tjetrit, Fethullah Gylen e sheh njerëzimin si një tërësi organike, që në kodin e vet gjenetik nuk ka të programuar luftën vetëshkatërrimtare, por mbijetesën harmonike. Faktorët që provokojnë përplasjet rrënimtare të njerëzimit Gylen i konsideron të përkohshme, dhe jashtë natyrës humaniste të kulturave dhe popujve. Nga përplasja ndërmjet tyre, aq sa shkatërrohen popujt e qytetërimet, rrënohet njëherazi gjithë njerëzimi. Duke i karakterizuar raporte të tilla në mënyrë të figurshme dhe i frymëzuar nga një konstante altruiste në gjykimet e veta, Fethullah Gylen, shkruan : ‘Njerëzimi është një pemë dhe popujt janë degët e tij...Ngjarjet, si erëra të forta, i përplasin ato me njëra-tjetrën. Dhe, natyrisht, dëmin e pëson pema’ (1997: 321). Dhe kësisoj dëmtohet pema e njerëzimit, që është krijimi më i mrekullueshëm në planetin tonë.

Fethullah Gylen ka shtjelluar dhe ka avancuar mjaft ide e argumente mbi natyrën e qytetërimeve dhe karakteristikat kryesore të tyre. Duke u bazuar në një koncepsion gjithëpërfshirës të qytetërimit dhe të kulturës, Fethullah Gylen identifikon së paku tre karakteristika themelore të çdo qytetërimi : së pari, përmirësimin e vrullshëm të mirëqenies materiale të të gjithë anëtarëve të shoqërisë në sajë të përparimeve tekniko-teknologjike me ritme të shpejta ; së dyti, pasurimin e gjithanshëm të fizionomisë shpirtërore të gjithë anëtarëve të shoqërive nëpërmjet kultivimit dhe vetëkultivimit të pandërprerë të vlerave më të arrira kulturore, religjioze e artistike dhe nëpërmjet kuptimit të thellë jo vetëm të çështjeve të ditës, por edhe atyre të perspektivës ; së treti, dhe mbi të gjitha, qytetërimi nënkupton edhe marrëdhëniet harmonike me qytetërimet e tjera. Fethullah Gylen, ndër të tjera, nënvizon : ‘Qytetërim i vërtetë. është mundur të vërtetohet vetëm në kushtet kur kanë prirë vazhdimisht dituria dhe morali bashkë...Qytetërimi që nuk mbështetet në virtyt e moral, që nuk ushqehet nga hauzet e arsyes dhe ndërgjegjes, është një festë e përkohshme me flamurka e banderola, vazhdon më tej ai, që nuk i shërben lumturisë së njerëzimit...Mjerë për ata që gënjehen pas patrullave të tij me drita që ndizen e shuhen !...Qytetërimi është pasuri ndjesore, delikatesë shpirtërore, thellësi pikëpamjeje dhe pranimi i të tjerëve...’(2003:47)

Përgjatë rrjedhës së zhvillimit të qytetërimeve, veçanërisht nga fillimet e Periudhës së Mesjetës deri në ditët tona, një nga çështjet më të debatueshme ka qenë dhe mbetet ajo e raporteve mjaft komplekse ndërmjet shkencës dhe besimit fetar. Në trajtimin e kësaj çështjeje shkencëtarët dhe teologët, filozofët dhe mendimtarët në qytetërimet perëndimore dhe lindore i përmbahen dy paradigmave kundërthënëse. Një grup i përmbahen paradigmës që e trajton besimin fetar dhe shkencën si kundërshtuese të njëra-tjetrës. Ndërsa grupi tjetër i mendimtarëve, shkencëtarëve dhe teologëve i përmbahen kritereve të paradigmës, sipas së cilës besimet fetare të mirëfillta (e jo abuzimet me to) dhe shkencat, jo vetëm nuk kundërshtojnë, por kanë plotësuar dhe plotësojnë në mënyrë organike njëra-tjetrën, shërbejnë si trampolinë për zhvillimin e tyre të ndërsjellë dhe të shumanshëm.

Duke i kundërqëndruar gjithfarë mendësish sempliste, paragjykimesh vulgare e të stërholluara dashakeqëse të së kaluarës dhe të ditëve tona, Fethullah Gylen shtjellon një galeri të tërë idesh pro paradigmës së bashkëveprimit sistematik, por me intensitete të ndryshme, ndërmjet shkencës dhe fesë. ‘Ndenja larga shkencave pozitive, - nënvizon ai- duke pasur frikë se mos çojnë në ateizëm, trajtimi i tyre si pretekst që çon në mohim, duke i parë ato në tërësi si antagonistë të fesë dhe besimit, është injorancë... Në fillim të shekullit të kaluar, dikush, në kundërshtim me një pjesë materialistësh të majtë që e patën hyjnizuar shkencën, duke iu kushtuar çdo gjë asaj, i godiste në formën më delikate përçatjet e çuditshme që patën mbështjellë një shekull të tërë, duke thënë : ‘Shkenca pa fe është e verbër, feja pa shkencë, e çalë!’ S’e di se çdo të thoshte, po t’i shihte, këta tanët sot edhe të verbër, edhe të çalë!’ (2003 : 25). Ky pohim i Fethullah Gylenit, sikurse edhe përfundimet e tjera të shqyrtimeve të tij të thella analitike, tingëllon si këmbanë alarmi për shumë shoqëri, veçanërisht për ata në tranzicion, siç është edhe shoqëria shqiptare e ditëve tona. Mjaft proçese ekonomike e sociale, politike e arsimore, kulturore e artistike në shoqërinë shqiptare janë anarkike, dhe, si të tilla, me rrjedhoja të rënda problematike për të tanishmen dhe për të ardhmen, sepse nuk bazohen në vlera e norma të shëndosha kulturore e fetare, në dije të avancuara shkencore. Sipas Fethullah Gylenit dijet e ndihmojnë njeriun, jo vetëm të njohë më mirë botën përreth, por edhe brendaveten, të kultivojë virtytet më të fisme në vetëdijen e tij. Besimi fetar i vërtetë dhe mendimi shkencor i vërtetë ofrojnë dy pamje njohëse të ndryshme të dukurive, të cilat, në esencë jo vetëm nuk kundërshtojnë por plotësojnë njëra-tjetrën. ‘Feja dhe shkenca e vërtetë – thekson Fethullah Gylen, - janë si dy fytyrat e një të vërtete të vetme. Feja e shtetit njeriun nëpër rrugë të drejta dhe e çon në përfundime të lumtura. Ndërkaq, shkenca me synim dhe qëllim të përcaktuar qartë, i bën dritë para, si një pishtar nëpër këto rrugë dhe në fushën e vet.’(2003: 33).

Veç të tjerash, Gylen e interpreton lumturinë dhe si ekuilibër psikoshpirtëror, që i ndihmon njerëzit të përballojnë sfidat e rënda, të shumëllojshme, me të cilat është mbushur jeta në shoqërinë moderne të ditëve tona. Të dhënat statistikore në shkallë botërore dëshmojnë se njerëzit që qëndrojnë larg besimit janë më të kërcënuar nga streset, nga patologjitë depresive, të cilat, kur agravohen mund t’i çojnë edhe drejt vetëflijimit. Një përfundim i tillë, fatkeqësisht, po vërtetohet çdo ditë edhe në realitetin e shoqërisë shqiptare të ditëve tona.

Teoricienët që i pëmbahen kritereve të paradigmës së konflikteve përpiqen të arsyetojnë se besimet fetare, si përbërëse e qenësishmee qytetërimeve, janë njëherazi një faktor i rëndësishëm i konflikteve ndërqytetërimore. ‘Mijëvjeçarët e historisë njerëzore – shkruan Samuel Huntington – kanë treguar se feja nuk është ‘një dallim i vogël’, por ka gjasa të jetë dallimi më i thellë që i ndan njerëzit. Denduria, intensiteti e forca e dhunshme e luftërave në vijën e shkëputjes gjejnë mbështetje të madhe te besimet në perëndi të ndryshme.’ (2004 : 419). Dhe brenda logjikës së këtij pohimi ai veçon konfliktimet ndërmjet myslimanëve dhe besimtarëve të feve tjera, veçanërisht përballjet e tyre shumëplanëshe me të krishterët. ‘Kufinjtë e Islamit janë të përgjakur’, thekson Huntington (po aty, 420). Gjithashtu teoricienët e konfliktit përpiqen të argumentojnë se islamizmi është fe e lidhur me terrorizmin (Shih : Michel, Th, 2004: 96). Edhe për këtë çështje mjaft delikate dhe mjaft të debatuar në ditët tona, Fethullah Gylen, duke u bazuar në analiza shkencore të thella të besimeve fetare, veçanërisht të feve të mëdha botërore, ofron një perspektivë krejt të kundërt. Ai hedh poshtë çdo spekulim që orvatet të lidhë islamizmin me terrorizmin. ‘....Islami, nënvizon Fethullah Gylen, nuk e pranon terrorizmin në asnjë formë. Terrorizmi nuk mund të shfrytëzohet për të arritur ndonjë qëllim islam. Një terrorist nuk mund të jetë mysliman dhe një mysliman i vërtetë nuk mund të jetë terrorist. Islami kërkon paqe, dhe Kurani kërkon që, çdo mysliman i vërtetë të jetë një simbol i paqes dhe të punojë për të mbrojtur interesat themelore të njeriut. Nëse një barkë ka brenda nëntë kriminelë dhe një njeri të pafajshëm, Islami nuk lejon që barka të fundoset. për të ndëshkuar nëntë kriminelët, duke dhunuar kështu të drejtat e një personi të pafajshëm’ (2005: 346).

Duke njohës i thellë i historisë së besimeve fetare dhe i marrëdhënieve ndërmjet tyre Fethullah Gylen nuk mohon faktet e hidhura të marrëdhënieve konfliktuese ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, luftërat e përgjakshme, shumëviktimizuese ndërmjet tyre të motivuara edhe fetarisht. Por, përtej fakteve të tilla, ai ka argumentuar se besimet fetare, veçanërisht fetë e mëdha botërore kanë ndikuar ndërsjelltazi në zhvillimin e njëra-tjetrës, jo vetëm me vizionet e përgjithshme për botën, për shoqërinë dhe sidomos për raportet tejet të ndërlikuara të njerëzve me fuqitë hyjnore, por edhe në praktikat ritualistike fetare, në elemente botëkuptimore e fetare të kulturës së jetesës etj. Fethullah Gylen, duke u bazuar në interferimet substanciale të feve, ka përpunuar një platformë të tërë të bashkëpunimit harmonik ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, në shërbim të njerëzimit të ditëve tona dhe të të ardhmes.

Me të gjithë energjitë shpirtërore dhe krijimtarinë e tij të shumanshme, Fethullah Gylen ka qenë dhe mbetet i angazhuar ne betejat pa shumë zhurmë, por më të vështira të paqes, për paqëtimin e marrëdhënieve ndërmjet qytetërimeve, ndërmjet popujve, ndërmjet individëve. Në panteonin e heronjve të paqes të historisë pesë mijëvjeçare të njerëzimit, Fethullah Gylenin e vendosin krahas Budës e Gandit, krahas Matin Luterit dhe Nënë Terezës. Si arkitekt dhe strategvizionar i betejave paqësore për paqëtimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, pavarësisht nga përkatësia qytetërimore e kultuore, nacionale e fetare, gjinore e profesionale Fethullah Gylen vazhdimisht ka bërë apel për të tejkaluar frymën e kriterizimit të sëmurë, frymën e polemikave të pafrytshme për ngjarjet e të kaluarës, frymën e urrejtjes rrënimtare pikësynimin e përhershëm për t’i hapur rrugë dialogjeve në shumë rrafshe, veçanërisht dialogut ndërfetar. ‘Kritika e çdo gjëje – thekson ai – kundërshtimi për çdo gjë, s’janë veçse, për çdo herë një akt shembjeje’ (2003:31). Fethullah Gylen i kundërvihet çdo proçesi e dukurie sociale që krijon gërmadha, sidomos në vlerat shpirtërore të njerëzve. Ai është zëdhënësi më i kualifikuar i idesë së dialogut, që synon të mbajë gjithnjë hapur dhe me kapacitet të plotë komunikimet e shumanshme ndërmjet qytetërimeve, popujve dhe besimeve. ‘Dialogu ndërfetar – thekson Fethullah Gylen- është sot një domosdoshmëri dhe hapi i parë për vendosjen e tij është harrimi i të kaluarës, shmangia e argumenteve polemizuese, dhe dhënia përparësi pikave të përbashkëta, të cilat janë më të shumta se polemikat.(2005 : 39).

Tejkalimi i kontradiktave ndërfetare funksionon si kusht i domosdoshëm edhe për tejkalimin e kontradiktave ndërmjet kulturave e qytetërimeve, madje edhe të konflikteve ndërindividuale në rrafsh botëror. Çlirimi i njerëzve nga demonët e gjithfarë konfliktesh me rrjedhoja negative për të tanishmen dhe të ardhmen do të krijojë një klimë më të përshtatshme për mirëkuptimin, mirëbesimin dhe marrëdhëniet e gjithanshme harmonike ndërmjet tyre, do të gjallërojë frymën e humanizmiz dhe të altruizmit në gjithë veprimtarinë e tyre. Një situatë të tillë socialpsikologjike Fethullah Gylen e karakterizon me pak fjalë : ‘Të duash dashurinë dhe të jesh armik i armiqësisë, është karakteristika më e spikatur e një zemre që ngazëllen me besim....Botët e ndriçuara e të lumtura të së ardhmes do t’i ngrenë..vetëm heronjtë e mbushur me dashuri për njeriun, heronjtë që marrinmesazhe dashurie nga diejt që lindin e perëndojnë, nga yjet që ndizen e shuhen...’.(2003:116). Kësisoj, Fethullah Gylen të ardhmen e njerëzimit nuk e përfytyron si një atmosferë të tejngarkuar nga tymi i luftimeve ndërqytetërimore, ndërfetare e ndërkulturore, por të ndriçuar nga drita e dashurisë së shumëfishtë, e cila sendërtohet në jetë si humanizëm, si altruizëm i ndërsjellë, i përhershëm ndërmjet njerëzve.

Që nga fundi i shekullit XIX deri në ditët tona sociologe nga më të shquarit të vendeve perëndimore kanë trajtuar edhe çështjen e ndikimit të Krishtërimit në lindjen dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut, të rendit ekonomiko-shoqëror modern në Perëndim. Në konsolidimin e këtij rendi një ndihmesë të rëndësishme ka dhënë përparimi i mendimit shkencor, zhvillimet e vrullshme tekniko-teknologjike. Në fillimet e epokës moderne në Evropën e krishterë shumica e shkencëtarëve kanë qenë protestantë me bindje të thella fetare. Shkencëtarë të tillë përgjithësisht besonin se me dijet dhe eksperimentet që zhvillonin, ata plotësonin dëshirat e Perëndisë për lehtësimin dhe përmirësimin e mënyrës së jetesës së njerëzve. Në këto rrethana, arsyeton sociologu amerikan bashkëkohës Robert King Meron, etika protestante e ndihmoi shkencën të bëhej veprimtari legjitime në sytë e opinionit publik dhe të vetë shkencëtarëve (1994 :73). Përparimet shkencore e tekniko-teknologjike dhe vlera kulturore e shpirtit konkurrencial kanë ndikuar që gjatë treqind viteve të fundit qytetërimi perëndimor të zhvillohet me ritme më të shpejta dhe të konsolidojë një profil mbizotërues tekniko-shkencor. Ndërkohë, qytetërimet lindore në periudhën e modernitetit deri në fillim të viteve ’70 të shekullit XX, përgjithësisht i kushtuan më shumë vëmendje përparimeve në fushën e filozofisë e të besimit, të moralit e të arteve se sa atyre në fushën shkencore e tekniko-teknologjike. Dallimet ndërmjet këtyre dy qytetërimeve, si qytetërime më me ndikim në shkallë botërore, si dhe dallimet e tyre me qytetërimet e tjera Fethullah Gylen nuk i trajton si burime për përçarje dhe, aq më pak si faktorë nxitës për konfliktime në të ardhmen. Në përfytyrimet e tij qytetërimet ngjajnë me enët komunikuese, të cilat natyrshëm i qarkullojnë të gjithë vlerat më të mira të krijuara nga të gjithë kulturat. Dhe qytetërimi i së ardhmes nuk do të burojë nga konfliktimet e qytetërimeve të tanishme, por do të zhvillohet me ritme më të shpejta, do t’u sigurojë njerëzve një jetë më të lumtur sepse do të jetë fryt i nektarit të vlerave më të arrira kulturore e fetare, shkencore e tekniko-teknologjike të gjithë qytetërimeve. ‘Qytetërimi i së ardhmes –arsyeton Fethullah Gylen – do të hedhë shtat e zhvillohet në fidanishten, ku kultivohen shkencat dhe teknologjia e Perëndimit si dhe filozofia e besimit dhe moralit të Lindjes.’ (2003: 47).

Në mbyllje të kësaj kumtese të shkurtër më lejoni të rikujtoj pohimin e një shkrimtari të shquar : ‘ na respektoni më pak, por na lexoni më me vëmendje.’ Krijimtaria mendore e shpirtërore e Fethullah Gylenit është e përmasave të tilla që i ka kapërcyer me kohë kufinjtë e çdo nderimi. Përkundrazi, janë të nderuar me merita humanizmi e altruizmi të gjithë ata që, jo vetëm e studiojnë me vëmendje, por edhe udhëhiqen praktikisht prej saj për zgjidhjen sa më racionale të të gjithë problemeve të mëdha sociale e kulturore, religjioze e morale që përjeton çdo popull në ditët tona. Nga studimi i vëmendshëm i veprës së Fethullah Gylenit edhe ne shqiptarët gjejmë çelësa për zgjidhjen imediate dhe perspektive të mjaft problemeve të natyrave të ndryshme që traumatizojnë shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Mendojmë se është e domosdoshme që edhe në hapësirën shqiptare, krijimtaria e shumanshme, polivalente e Fethullah Gylenit të trajtohet teorikisht e politikisht, jo vetëm nëpërmjet iniciativave individuale, por edhe me mënyrë të institucionalizuar e sistematike.

Literatura kryesore

  • Merton, Robert K : ‘The normative structure of science’, në përmbledhjen antologjike ‘Culture and Society’ (Contemporary debates) edited by Jeffery C. Alexander and Steven Seidman, Cambridge University, Press, 1994.
  • Macionis, John J : Sicioligy ( Tenth edition) Pearson Prentice Hall, New Jersey, 2005.
  • Gylen, Fethullah: Kriteret ose dritat e rrugës (ese, gjykime e aforizma), Shtëpia botuese ‘Prizmi’, Tiranë 2003.
  • Gylen, Fethullah : Nga penza e thyer dhe Dritat e rrugës, Tiranë 1997.
  • Gylen, Fethullah : Lëkundjet që solli shekulli, Shtëpia botuese ‘Koha’. Tiranë 1998.
  • Gylen, Fethullah : Drejt një qytetërimi botëror me Dashuri dhe Tolerancë, shtëpia botuese ‘Prizmi’ Tiranë 2005.
  • Huntington, Samuel P : Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror, Botimet Logos-A, Tiranë 2004.
  • Mishel, Thomas : Në vendtakimin e dy deteve ( Sfida e dialogut : një i krishterë takon Islamin ) Shtëpia botuese ‘Prizmi’, Tiranë 2005.
  • Pirraku, Muhamet : ‘Kontributi i Fethullah Gylenit për dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor ‘, përmbledhje: Këndvështrimi i intelektualëve të Kosovës për ‘Lëvizjen Gylen ‘, Botuar nga Fondacioni për arsim dhe kulturë ‘Atmosfera ‘, Prizren 2007.
Azhornuar së fundi ( Thursday. 28 January 2010 )
 
< I mëparshmi   Tjetri >